OECD: Produktiviteti i bizneseve shqiptare sa 23-29 për qind e BE
Bizneset shqiptare vijojnë të mbeten shumë larg standardeve të Bashkimit Europian për sa i përket produktivitetit, ndërsa OECD paralajmëron se hendeku me ekonomitë europiane nuk pritet të mbyllet shpejt.

Produktiviteti i NVM-ve shqiptare vetëm 29% e mesatares së BE-së
Sipas një studimi të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), produktiviteti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri arrin vetëm në 29% të mesatares së Bashkimit Europian, bazuar në të dhënat e vitit 2023. Të dhënat tregojnë se një punonjës në një ndërmarrje të vogël ose të mesme në Shqipëri prodhon mesatarisht 14,924 euro në vit. Në ndërmarrjet e mëdha, produktiviteti rritet në 19,645 euro për punonjës.
Në Bashkimin Europian, një punonjës në NVM prodhon mesatarisht rreth 52 mijë euro në vit, ndërsa në bizneset e mëdha kjo shifër arrin në 87 mijë euro për person. Kjo do të thotë se produktiviteti i ndërmarrjeve të mëdha shqiptare arrin vetëm në 22.6% të mesatares së kompanive të mëdha në BE.
Bizneset shqiptare ndër më pak produktivet në rajon
OECD vlerëson se ndërmarrjet e mëdha në Shqipëri kanë produktivitetin më të ulët në Ballkanin Perëndimor. Serbia kryeson rajonin me rreth 31.4 mijë euro prodhim për punonjës, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 27 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut me 21.6 mijë euro.
Sipas raportit, edhe pse Shqipëria po regjistron rritje reale të produktivitetit, ritmet aktuale mbeten të pamjaftueshme për të ngushtuar hendekun me Bashkimin Europian në afat të shkurtër.
OECD thekson se asnjë nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk pritet të arrijë nivelin aktual të të ardhurave për frymë të BE-së brenda katër dekadave të ardhshme.
Emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore, sfidat kryesore
Raporti evidenton se Shqipëria po përballet me një tkurrje të fortë të forcës së punës. Popullsia në moshë pune ka rënë me 18% që nga viti 2011, kryesisht si pasojë e emigrimit të profileve të kualifikuara në teknologji, inxhinieri dhe shkenca të aplikuara.
Sipas OECD-së, kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e bizneseve për të përthithur teknologji të reja dhe për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare. Ndonëse papunësia tek të rinjtë mbetet e lartë, raporti evidenton një mospërputhje të fortë mes aftësive që prodhon sistemi arsimor dhe nevojave reale të tregut të punës.
Bizneset përballen edhe me mungesë financimi
Një tjetër problem madhor mbetet aksesi i kufizuar në financa. OECD vëren se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përballen me kërkesa shumë më të larta për kolateral krahasuar me kompanitë e mëdha, për shkak të perceptimit më të lartë të rrezikut nga bankat.
Raporti thekson se, ndryshe nga Kosova që konsiderohet lider rajonal për skemat e garancisë kreditore, në Shqipëri dhe pjesën tjetër të rajonit instrumentet alternative të financimit mbeten ende të pazhvilluara. Sipas OECD-së, mungesa e likuiditetit dhe financimit po vjen në një moment kritik, kur bizneset duhet të investojnë në tranzicionin e gjelbër dhe digjital për t’u integruar në tregun europian.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)